Faktorët si mosha, gjinia, genetika, stili i jetesës, etj, i bëjnë të ndryshëm trupat tanë. Prandaj e njëjta stërvitje dhe i njëjti ushqim nuk sjellin të njëjtin rezultat specifik në secilin trup. Por pavarësisht kësaj, nëse do që rezultatet e stërvitjes të jenë të vazhdueshme ekziston një rregull bazë që duhet të zbatohet nga të gjithë! Ky rregull quhet “NGARKESA PROGRESIVE” (rritja e vazhdueshme e stimulit të stërvitjes).
Sa herë stërvitemi, i japim trupit ngarkesë, e lodhim. Pas çdo stimuli të tillë, trupi përpiqet të përshtatet në mënyrë që kur të përballet prapë me të njëjtën ngarkesë, ai të jetë i aftë ta përballojë më lehtë (gjumi, ushqimi dhe pushimi rikuperojnë dhe ndihmojnë në këtë proçes). Nëse vazhdojmë për një kohë të gjatë me të njëjtën ngarkesë, progresi ndalon pasi trupi nuk ka më arsye të përshtatet (zhvillohet). Prandaj, nëse duam të shohim rezultate të vazhdueshme nga stërvitja, ngarkesa duhet të vij në rritje.
Si të veprojmë praktikisht? Duke matur proçesin.
Mbajmë shënim çdo ditë llojin e stërvitjes, peshat që punojmë, sa ushtrime, sa sete e sa përsëritje bëjmë, sa pushim mes ushtrimeve dhe seteve bëjmë, nivelin e lodhjes (1-10) gjatë dhe pas stërvitjes, etj. Dhe tani jemi gati të fillojmë me shtimin e ngarkesës gradualisht duke shtuar elementët nga 1 për seancë, jo të gjitha përnjëherë. Dita ditës mund të shtojmë peshat, shtojmë setet, shtojmë përsëritjet, ulim kohën e pushimit, etj.
Kjo është një mënyrë e saktë për ta mbajtur trupin vazhdimisht nën kontroll jashtë zonës së tij të komfortit. Rezultat i vazhdueshëm!